Phd Hysni BAJRAMI TEORIT E PRGJITHSHME PR USHTRIMIN
Phd. Hysni BAJRAMI TEORITË E PËRGJITHSHME PËR USHTRIMIN E PUSHTETIT SHTETËROR
Kuptimi i pushtetit shtetëror dhe format kryesore të shprehjes së tij � Një nga karakteristikat e përgjithshme të shtetit është pushteti shtetëror, apo aparati përmes të cilës ai realizon vullnetin e vet politik. Pushteti shtetëror shprehet në autorizimet kushtetuese dhe ligjore të organeve shtetërore që të nxjerrin aktet e caktuara, të sigurojnë zbatimin dhe mbrojtjen e tyre përmes monopolit të dhunës fizike. � Pushteti shtetëror manifestohet dhe shprehet në tri forma themelore: - pushteti kushtetutëdhënës dhe legjislativ, - pushteti ekzekutiv-administrativ dhe - pushteti gjyqësor.
Pushteti kushtetutdhënës dhe legjislativ � Pushteti kushtetutdhënës dhe legjislativ - konsiston në autorizimin e organeve më të larta shtetërore për të miratuar Kushtetutën, si akt më të lartë, ligjet, aktet nënligjore dhe aktet e tjera të përgjithshme juridike. � Përmes këtij funksioni ndërtohet sistemi kushtetues dhe juridik i shtetit, i cili mundëson realizimin e parimit fundamental të demokracisë, qeverisjen e së drejtës (shtetin ligjor, shtetin e së drejtës). � Pushteti kushtetutdhënës dhe legjislativ zakonisht ushtrohet nga organet përfaqësuese, të cilat janë bartëse të sovranitetit popullor (Parlamenti, Kuvendi, Asambleja, Senati, Kongresi etj. )
Pushteti ekzekutiv � Pushteti ekzekutiv - është formë e pushtetit shtetëror që konsiston në zbatimin e drejtpërdrejtë të ligjeve dhe akteve të tjera juridike, në një anë, dhe të politikës së caktuar shtetërore, në anën tjetër. � Bartës kryesorë të pushtetit ekzekutiv – administrativ janë: Qeveria dhe organet e administratës. Qeveria, si organ kryesor ekzekutiv në shtetet e sistemit parlamentar, formohet dhe mbikëqyret nga ana e parlamentit. Ajo formon dhe mbikëqyr punën e organeve të administratës. Roli i administratës konsiston në zbatimin e ligjeve, planeve shtetërore, të dispozitave dhe akteve juridike të përgjithshme, politikës shtetërore, të përcjelljes së situatës në lëmitë e caktuara të organeve dhe të organizatave të administratës, të organizimit dhe të ushtrimit të shërbimeve publike, të vendosjes së çështjeve administrative, të përgatitjes së analizave të ndryshme profesionale etj.
Pushteti gjyqësor � Pushteti gjyqësor – si formë dhe trajtë klasike e manifestimit të aparatit të dhunës shtetërore, konsiston në ndarjen e së drejtës, apo në sigurimin e ligjshmërisë në shoqëri. Këtë pushtet e ushtrojnë gjykatat e pavarura, si organe, dhe institucionet tradicionale të shtetit. Gjykatat ushtrojnë funksionet gjyqësore në procedurën gjyqësore dhe në bazë të ligjit. � Sistemi gjyqësor përcaktohet me ligj dhe mbështetet në organizimin dhe funksionimin unik të centralizuar në shkallë specifike të hierarkisë funksionale. Gjatë gjykimeve, gjykatat janë të mëvetësishme në konstatimin dhe verifikimin e gjendjes faktike. � Sistemi i jurisprudencës (gjyqësisë) mund të vështrohet në dy kuptime. Në kuptimin e ngushtë, gjyqësia nënkupton ekskluzivisht gjykatat, kurse në kuptim të gjërë gjyqësia (jurisprudenca) nënkupton edhe organet e tjera si: prokuroritë publike, avokatura publike etj. � Parimet kryesore të funksionimit të organeve të gjyqësisë janë: ligjshmëria, parimi i së vërtetës materiale, dyshkallshmëria, publiciteti i punës, depolitizimi dhe mëvetësia e tyre në raport me organet legjislative dhe ekzekutive etj
Teoritë mbi ushtrimin e pushtetit shtetëror �Teoria e përgjithshme juridike – politike, varësisht nga raportet midis formave të ndryshme të pushtetit shtetëror dhe mënyra e ushtrimit të tyre, njeh dy parime kryesore: - Parimin e unitetit të pushtetit shtetëror dhe - Parimin e ndarjes së pushtetit shtetëror.
Parimi i unitetit të pushtetit shtetëror � Parimi i unitetit të pushtetit shtetëror nënkupton atë formë të qeverisjes shtetërore, ku pushteti shtetëror është i koncentruar në një organ suprem shtetëror, i cili formon dhe mbikëqyr të gjitha format e tjera të pushtetit. Shtetet që aplikojnë këtë sistem bazohen në supremacionin e një organi në hierarkinë horizontale dhe vertikale të piramidës shtetërore, i cili kontrollon të tri format e pushtetit shtetëror (legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor). � Parimi i unitetit të pushtetit shtetëror bazohet në dominimin e organit legjislativ ndaj organeve ekzekutive dhe gjyqësore. Ky dominim shprehet në dy forma: 1. Në zgjedhjen dhe formimin e këtyre organeve nga organi legjislativ dhe përfaqësues dhe 2. në mbikëqyrjen dhe kontrollin politik të punës së këtyre organeve nga organi legjislativ. � Historikisht janë të njohura tri forma kryesore të rregullimit shtetëror, të bazuara në parimin e unitetit të pushtetit shtetëror: - Sistemet autokratike - Sistemi i kuvendit dhe - Sistemi i konventës.
Sistemet autokratike � Sistemet autokratike janë të bazuara në parimin e unitetit shtetëror. Uniteti i pushtetit shtetëror, në këto sisteme, realizohet në favor të organeve ekzekutive. Ato ngrihen mbi organet përfaqësuese dhe legjislative, duke i mbajtur nën kontroll të tyre dhe duke marrë vendime më të rëndësishme politike. � Shembull i këtyre sistemeve autokratike ishin ish - regjimet fashiste dhe autoritare në Francë, Itali, Gjermani, Spanjë etj. Në këto shtete pushteti shtetëror ishte i koncentruar në organet ekzekutive, zakonisht në shefin e shtetit, i cili si diktator ka ushtruar të gjitha format e pushtetit shtetëror.
Sistemi i kuvendit � Sistemi i kuvendit, si formë e unitetit të pushtetit, nënkupton koncentrimin e pushtetit shtetëror, në Kuvend, si organ përfaqësues dhe legjislativ. � Formën më të zhvilluar të këtij sistemi e kishte përcaktuar Kushtetuta e RSFJ-së e vitit 1974 dhe kushtetutat e njësive federale të po të njëjtit vit. Sipas këtyre akteve kushtetuese, Kuvendi përcaktohej si organ i vetëqeverisjes shoqërore dhe organ më i lartë i pushteti në kuadrin e të drejtave dhe detyrave të bashkësive shoqërore-politike, të përcaktuara me kushtetutë. Ai ushtronte funksionet më të rëndësishme shtetërore dhe vetëqeverisëse, zgjedhte dhe mbikëqyrte punën e kryesive, të këshillave ekzekutive, të organeve të administratës, organeve të jurisprudencës etj. � Struktura e sistemit kuvendor bazohej në të ashtuquajturin “sistem i delegimit”, i cili mundësonte përfaqësimin në kuvend të tri bazave deleguese; punës së bashkuar, organizatave shoqërore politike dhe bashkësive shoqërore politike � Për variantin sovjetik të sistemit kuvendor ishte karakteristike se pushteti legjislativ dhe ekzekutiv i takonte të ashtuquajturave sovjete, si organe përfaqësuese të pushtetit. Vend të posaçëm në këtë sistem ka pasur Presidiumi i Sovjetit Suprem, i cili ka luajtur rol të trefishtë: të organit legjislativ, të shefit kolegjial të shtetit dhe të Kryesisë së Sovjetit Suprem. Përpos Presidiumit, pushtetin ekzekutiv e ka ushtruar edhe Këshilli i Ministrave.
Sistemi i konventes � Sistemi i konventës është formë e organizimit të pushtetit shtetëror në bazë të parimit të unitetit të pushtetit, në të cilin organi legjislativ, pjesërisht dhe në mënyrë të tërthortë, e ushtron funksionin ekzekutiv � Përfaqësues tipik i këtij sistemi është Zvicra. Pushteti më i lartë legjislativ dhe ekzekutiv në Zvicër i takon Kuvendit Federativ. Pasi që Kuvendi Federativ nuk mund të ushtrojë vetë drejtpërdrejt tërë pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv, ai zgjedh Këshillin Federativ, të përbërë nga shtatë anëtarë, në kompetencë të të cilit është pushteti suprem ekzekutiv i shtetit federativ. � Ky këshill në, mënyrë hierarkike, i nënshtrohet kontrollit të parlamentit. Parlamenti është i autorizuar që t`i pranojë apo refuzojë, përkatësisht t’i anulojë propozimet e këtij Këshilli. Çdo anëtar i Këshillit, sipas radhës së caktuar, që më parë udhëheq me punën e Këshillit dhe njëkohësisht ushtron funksionin e shefit të shtetit.
Parimi i ndarjes së pushtetit shtetëror � Parimi i ndarjes së pushtetit shtetëror nënkupton formën e qeverisjes shtetërore që bazohet në ushtrimin e pavarur të pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Kjo do të thotë se çdonjëri nga këto organe është kompetent për kryerjen e pavarur të punëve të caktuara me kushtetutë dhe ligj � Pavarësia organizative, e këtyre organeve, shprehet në faktin se organet e një dege të pushtetit shtetëror, nuk mund të urdhërojnë organeve të degëve tjera të pushtetit nxjerrjen e ndonjë akti apo ndërmarrjen e ndonjë veprimi të caktuar � Përfaqësues kryesor, i teorisë së sistemit të ndarjes së pushtetit shtetëror është Monteskie, sipas të cilit ndarja e pushtetit shtetëror siguron lirinë politike, duke kufizuar pushtetin e një organi ndaj organit tjetër. � Sistemi i ndarjes së pushtetit sot gjen zbatim në pjesën dërrmuese të sistemeve bashkëkohore politike. � Varësisht nga raporti i organeve të degëve të ndryshme të pushtetit shtetëror, pozitës dhe rolit të tyre janë të njohura tri sisteme të bazuara në parimin e ndarjes së pushtetit: sistemi parlamentar, sistemi presidencial dhe sistemi i përzier (parlamentar presidencial).
Sistemi parlamentar � Sistemi parlamentar është formë e qeverisjes së pushtetit, e bazuar në parimin e ndarjes së pushtetit, në të cilin ekziston një ndarje e tre pushteteve dhe një kontroll i tyre reciprok. Ky sistem për herë të parë është aplikuar në Angli në shekullin XVIII � Karakteristikë themelore e sistemeve parlamentare është përcaktimi i ekuilibrit në mes të Parlamentit dhe Qeverisë me mundësinë e kufizimit të tyre reciprok. Në sistemet parlamentare vetëm sipërfaqësisht duket se vend qendror në sistemin e pushtetit ka parlamenti, kurse në esencë rol dominues ka qeveria, të cilën e formon shumica parlamentare. � Ekzistojnë dy lloje të sistemeve parlamentare: sistemi parlamentar anglez dhe sistemi evropian parlamentar.
Sistemi parlamentar anglez dhe sistemi evropian � Sistemi parlamentar anglez karakterizohet me raportet specifike, midis parlamentit dhe qeverisë. Parlamenti edhe pse formon qeverinë (me propozimin e monarkut), nuk ka të drejtën e shkarkimit dhe marrjes së mandatit të saj. Përkundrazi, qeveria në situatat dhe rastet e caktuara ka të drejtë të merrë iniciativë që të shpërndajë parlamentin. Rolin e qeverisë në Angli e ushtron Kabineti, i cili përpos funksioneve klasike ekzekutive ushtron edhe funksione të rëndësishme operative. � Për dallim nga Anglia, në sistemet evropiane parlamentare, roli i qeverisë është dukshëm më i kufizuar. Në shumicën e shteteve evropiane, pushtetin ekzekutiv e ushtron qeveria parlamentare, të cilën e formon dhe e kontrollon parlamenti. Qeveria në këto shtete formohet në bazë të rregullave parlamentare. Në rast se asnjë parti politike nuk e ka shumicën parlamentare, formohet e ashtuquajtura qeveri e koalicionit, të cilën e formojnë dy apo më shumë parti politike. Pas formimit të saj, qeveria kryesisht ushtron funksione ekzekutive, që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjeve dhe të politikës së përcaktuar nga parlamenti. Parlamenti ka të drejtë të mbikëqyrë punën e qeverisë, të shtrojë çështjen e votëbesimit, të shkarkojë atë dhe të zgjedhë qeverinë e re.
Sistemi presidencial � Sistemi presidencial është formë e qeverisjes shtetërore, e bazuar në ndarjen e funksioneve midis parlamentit dhe shefit të shtetit. Shefi i shtetit në sistemet presidenciale paraqet bartës të pushtetit ekzekutiv. � Ai ka të drejta të caktuara ndaj parlamentit, si organ legjislativ. Këtu, në radhë të parë, mendohet në të drejtën e tij që të kontrollojë aktivitetin legjislativ të parlamentit përmes institutit të firmosjes (dekretimit) të ligjit, të përdorimit të së drejtës së vetos, me efekt suspenziv ndaj ligjeve dhe të drejtës së kthimit të ligjeve në rishqyrtim të sërishëm në parlament. Në anën tjetër, shefi i shtetit, në sistemet presidenciale, është i obliguar t’i përmbahet ligjeve të parlamentit. Ai për punën e tij nuk i përgjigjet parlamentit, por trupit elektoral (qytetarëve) i cili e ka zgjedhur. � Karakteristikë e sistemeve presidenciale është koncentrimi dhe ushtrimi i pushtetit ekzekutiv nga ana e presidentit. Në këtë shtet presidenti formon kabinetin e tij, i cili në fakt ushtron rolin e qeverisë. Anëtarët e kabinetit i emëron vetë Presidenti. Ata, për punën e tyre, i japin llogari Presidentit, i cili mund t’i shkarkojë në çdo kohë. � Formën më të zhvilluar të sistemit presidencial, e hasim në SHBA, ku ai që nga viti 1787, me disa modifikime të vogla, funksionon edhe sot e kësaj dite.
Sistemi i përzier (parlamentarpresidencial) � Sistemi semipresidencial (gjysmëpresidencial) paraqet një formë hibride të organizimit dhe të ushtrimit të pushtetit, e bazuar në parimin e ndarjes së pushtetit. Ky sistem shquhet për nga kombinimi i parimeve dhe të rregullave të sistemit parlamentar dhe atij presidencial. Varësisht nga vlerësimi se a ka "huazuar" më tepër parime të njërit apo të sistemit tjetër, në teori emërtohet si “sistem parlamentar-presidencial”, apo si sistem presidencial-parlamentar, përkatësisht si sistem semipresidencial (gjysmëpresidencial). � Nocionin “pushteti gjysmëpresidencial (semipresidencial)” në teori dhe shkencë politike, për të parën herë më 1970, e përmendi Maurice Duverger (Moris Diverzhe), sipas M. Duverger-ut “regjimi politik konsiderohet si gjysmëpresidencial në qoftë se kushtetuta, me të cilën është krijuar, përmban këto tri elemente: (1) presidenti i republikës është i zgjedhur me anë të zgjedhjeve të përgjithshme; (2) posedon kompetencat mjaft të mëdha; (3) por përballë vetes ka kryeministrin dhe ministrat të cilët kanë kompetencat ekzekutive dhe shtetërore dhe të cilët mund të mbesin në detyrë përderisa kësaj nuk i kundërvihet parlamenti”
Sistemi i përzier (parlamentarpresidencial) � Ithtarët e këtij sistemi theksojnë se ai i ngërthen në vete shumë përparësitë e sistemit presidencial dhe sistemit parlamentar. Si përparësi kryesore e sistemit gjysmëpresidencial zakonisht theksohet stabiliteti i pushtetit ekzekutiv, i cili bazohet në mënyrën e zgjedhjes së drejtpërdrejtë të presidentit të republikës (shefit të pushtetit ekzekutiv) dhe mandatit të tij fiks (në Francë ky mandat është 7 vjeçar). Përparësia më e theksuar e këtij sistemi tregohet në mundësinë e tij, që varësisht nga rrethanat, në praktikë të funksionojë edhe si sistem presidencial edhe si sistem parlamentar � Për të funksionuar sistemi gjysmëpresidencial në pajtim me modelin kushtetues, duhet të ekzistojë konsensusi i trefishtë: (1) konsensusi midis qeverisë dhe parlamentit, përkatësisht dhomës ndaj së cilës qeveria përgjigjet; (2) konsensusi midis presidentit të republikës (shefit apo kryetarit të shtetit) dhe qeverisë, dhe: (3) konsensusi midis shefit të shtetit dhe shumicës në parlament. � Në raport me sistemin parlamentar dhe atë presidencial, ky sistem është relativisht i ri. Për herë të paraqitet në Finlandë (me Kushtetutën e vitit 1919), pastaj në Austri (në vitin 1934), Irlandë (1937), Island (1944), Francë 1958) dhe Portugali (1976). Gjithashtu, sistemi i gjysmëpresidencial, në forma të ndryshme, është karakteristik edhe për disa vende të tranzicionit, ndër të cilat në veçanti shquhet ai i aplikuar në Federatën Ruse (Kushtetuta e vitit 1993) dhe në Republikën e Kroacisë (vitet 1990 -2000).
Parimi i ndarjes së pushteteve dhe kontrolli i tyre reciprok � Parimi i ndarjes dhe i kufizimit të pushtetit është një nga parakushtet elementare të demokracisë. Vendosja e një balance ose ekuilibri midis tre pushteteve është bazë për funksionimin e demokracisë parlamentare në një shtet. Balanca dhe ekuilibri i pushteteve në shtetet demokratike parlamentare duhet të arrijë dy qëllime kryesore: e para, të sigurojë pavarësinë e pushteteve; e dyta, të kufizojë pushtetet, duke përcaktuar mekanizma të kontrollit të tyre reciprok. � Varësisht nga mënyra e përcaktimit te balanca midis pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, sot funksionojnë tri modele të qeverisjes shtetërore: sistemi parlamentar, presidencial dhe i kombinuar. � Në teorinë parlamentare janë të njohura tri forma apo parime të ndarjes së pushteteve; -ndarja e ngurtë e pushteteve, - ndarja fluide (elastike) dhe - ndarja mikste e pushteteve
Ndarja e ngurte e pushteteve � Ndarja e ngurtë e pushteteve funksionon kryesisht në sistemet presidenciale, në të cilat tri pushtetet janë të pavarura në ushtrimin e veprimtarisë së tyre dhe në parim nuk ndërhyn në pushtetet tjera. � Te këto sisteme, pushteti legjislativ i besohet tërësisht parlamentit, ai ekzekutiv presidentit, kurse gjyqësori ushtrohet nga gjykatat e pavarura. Ndërhyrjet, përkatësisht kontrolli reciprok, është i rrallë dhe ai synon ruajtjen e ekuilibrit kushtetues në mes pushteteve. � Te kjo formë e ndarjes së pushteteve qeveria nuk i nënshtrohet kontrollit parlamentar dhe mocionit të mosbesimit. Ajo kryesisht është e varur për presidentin, i cili njëkohësisht, krahas funksionit të përfaqësimit politik të vendit, është edhe shef i ekzekutivit. � Raportet e legjislativit dhe ekzekutivit bazohen në pavarësinë e tyre dhe kontrollin reciprok, i cili përfshin të drejtën e vetos, të drejtën e shpërndarjes së parlamentit nga ana e presidentit, përkatësisht mundësinë e parlamentit për të shtruar përgjegjësinë politike dhe kushtetuese të presidentit nga ana tjetër. Këtë model të ndarjes së pushteteve e hasim në sistemet presidenciale, kryesisht në SHBA, ku paraqitet në formë të pastër dhe në disa sisteme të tjera të qeverisjes, të cilat tregojnë tendencën e shkuarjes kah presidencializmi.
Ndarja e bute e pushteteve � Ndarja e butë e pushteteve është tipike për sistemet parlamentare të qeverisjes, qoftë për mbretëritë parlamentare ose republikat parlamentare. Te këto sisteme, ndonëse ekziston dhe funksionon parimi i ndarjes së pushteteve, paraqiten fërkime dhe ndërhyrje të shpeshta midis tyre dhe një sistem i kontrollit reciprok, i cili shpeshherë shkakton konflikte politike midis pushteteve dhe kriza parlamentare � Parlamenti si organ legjislativ, ka të drejtën e kontrollit politik të qeverisë dhe shefit të shtetit, fakt ky që mund të çojë te rënia e qeverisë dhe shefit të shtetit në rrugë parlamentare, nëpërmjet të një mocioni të votimit të mosbesimit të qeverisë, përkatësisht të shkarkimit të shefit të shtetit në parlament. Nëse bëhet fjalë për një regjim të plotë parlamentar, atëherë parlamenti në fakt ka epërsi politike ndaj ekzekutivit, i cili nuk ka mundësi për t`ju kundërvënë parlamentit me mocionin e shpërndarjes së tij të parakohshme. � Situatë tjetër paraqitet në sistemet e përziera parlamentare, në të cilat shefi i shtetit ka të drejtën e vetos suspenzive dhe të drejtën e shpërndarjes së parlamentit. Te këto sisteme parlamentare funksionon sistemi i balancës dhe ekuilibrimit të pushteteve dhe një sistem i përcaktuar kushtetues për kontrollin e tyre reciprok.
Sistemi miks i ndarjes se pushteteve �Sistemi miks i ndarjes së pushteteve paraqitet në shtetet që zbatojnë sistemin e kombinuar parlamentar-presidencial të qeverisjes. �Në këto shtete kemi një bashkëdyzim të elementeve parlamentare dhe presidenciale të qeverisjes, i cili mundëson një sistem të zhvilluar të kontrollit reciprok të pushteteve të bazuar në parimin e ekuilibrimit të tyre reciprok.
- Slides: 20