FJALIM PREZANTIMI I LIBRIT Shenjtor t Kishs Orthodhokse
FJALIM PREZANTIMI I LIBRIT «Shenjtorë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë» (Festa e Mbledhjes së Shenjtorëve Lokalë të Mitropolisë së Gjirokastrës, 18. 11. 2018)
Hirësi, Etër të nderuar, Koleg dhe fëmijë të dashur, Zonja dhe Zotërinj,
Me vëmendje të veçantë dëgjova që parë bashkëpunëtorin e shtrenjtë të Mitropolisë sonë z. Joani Karamitro të theksojë anë të rëndësishme në lidhje me shenjtorët që përfshihen në libër. Do doja që në fillim ta falënderoja për fjalët e tij të ngrohta. Këto cilësime të vyera kam përshtypjen se ofrohen si temjan erëmirë para ikonave të shenjtorëve që u përmendën, si një shprehje besnikërie ndaj pasurisë shpirtërore që na trashëguan.
Α. Karakteri dhe qëllimi i librit Libri, të cilin me Hirin e Zotit prezantojmë sot, përbën realisht temën e diplomëspasuniversitare që depozituam te Fakulteti i Teologjisë i Universitetit të Selanikut në nëntor të 2017. Sinqerisht, besoj se sot, një vit më pas, bëhet mbrojtja esenciale e temës së diplomës, sepse përmbajtja e saj lidhet ngushtë me këtë vend dhe në mënyrë më specifike me festën e sotme.
Në këtë pikë lind nevoja që të theksojmë se Festa e Mbledhjes së Shenjtorëve Lokal të dielën e tretë të nëntorit u caktua nga Hirësia e Tij z. Dhimitër. Dhe ishte pikërisht kjo iniciativë e bekuar stacioni i fillimit që përcaktoi motivin, mënyrën dhe ritmin e shkrimit të këtij libri. Me të vërtetë, nëpërmjet faqeve të këtij libri, përshkruajmë shembujt e ndritur të jetës së shenjtorëve duke synuar nxjerrjen në pah të dimensionit shpirtëror, që shumë herë lihet në harresë, dhe të vitalitetit të Kishës sonë lokale.
Aspirojmë që të prekim këto figura të mrekullueshme të cilat rrezatojnë në kohë dhe në hapësirë dashurinë e Perëndisë dhe përcjellin në epokën tonë të lodhur frymën jetëdhënëse të Shpirtit të Shenjtë. Dhe si përfundim, do të thoshim, se tentojmë njohjen më të mirë të ADN-së sonë shpirtërore, që është në esencë ADN-ja e shenjtorëve tanë, nga ku mund të marrim vazhdimisht shembull jete dhe frymëzim, të përpunuara me frymën e sakrificës së vazhdueshme dhe painteres.
Do të shtoja se ky libër përpiqet të zbulojë në një farë mënyre –gjithmonë në fshehtësi- një sekret: se Kisha që gjendet në Shqipëri u sprovua në shumë mënyra gjatë shekullit të kaluar, por mundi që të ngjallet përsëri nga hiri i saj dhe të japë përsëri fryte të ëmbla në Shpirtin e Shenjtë, pikërisht nga ndërmjetësimet e këtyre shenjtorëve të cilët vulosën shpirtërisht këtë vend dhe përbëjnë edhe në vazhdim fuqinë e saj mistike, rezistuese dhe produktive.
Β. Metodologjia dhe burimet Trajtimi i një teme të tillë, përbën një hap mjaft të guximshme, dhe për këtë arsye presupozon shumë lutje dhe kujdes, në mënyrë që siç theksonte shën Paisi « mos të cënojmë shenjtorët» . Do më lejoni që në vazhdim ti referohem metodologjisë së ndjekur. Nuk do ti referohem në mënyrë të detajuar përmbajtjes, sepse shkurt dhe me shumë saktësi e analizoi z. Karamitros te fjalimi i tij hyrës.
Duhet të qartësojmë se objekti i studimit janë ata shenjtorë që ndriçuan në territorin ku sot shtrihen kufijtë kishtar të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë qysh nga vitet apostolike deri edhe në epokën bizantine. Për formulimin e dossier të secilit shenjtor u përdorën burime të ndryshme: agjiologjike (Martiria, Jetë, Sinaksarë, Lavdërime), himografike (Shërbesa, Kanone, Epigrama etj. ) si edhe Kremtore dhe Tipika (Rregullore shërbesash) të Kishës. Më rrallë, për raste të veçanta, informacione u morën edhe nga burime historike dhe patristike.
Për prezantimin e tyre zgjοdhëm rendin kronologjik, i cili bazohet te mendimi i shumicës së bizantinologëve. Kështu, te kapitulli i parë i studimit tonë përfshihen shenjtorët që jetuan nga koha protokristiane deri edhe në periudhën protobizantine, ndërsa në kapitullin e dytë prezantohen shenjtorët e periudhës mesobizantine deri në epokën e vonë bizantine.
Γ. Konkluzione të përgjithshme Studimi përfundon me konkluzionet e përgjithshme, ndërsa si shtojcë jepet dhe një tabelë me kremtimet e festave të shenjtorëve. Nxjerrja e konkluzioneve vjen si pasojë e studimit të burimeve, dhe të shenjtorëve, 1. Në lidhje me burimet Burimet e ndryshme që u hulumtuan u tregua se përmbanin mjaft informacione të rëndësishme që në disa raste, p. sh. te Martirizimi i shën Therinit, ofruan të dhëna të çmuara që nuk i hasëm në Sinaksarët e mëvonshëm.
2. Në lidhje me shenjtorët Shumica prej tyre nuk janë shumë të njohur, kryesisht sepse nderimi i tyre nuk është shumë i përhapur. Një tjetër pikë që vlen për tu përmendur është se shenjtorët nuk janë të gjithë dëshmorë, por midis tyre shikojmë edhe oshënarë (të fjetur në paqe) edhe pohues. Më të shumtët janë priftërinjë dhe episkopë, pa përjashtuar prezencën edhe të laikëve, ndërsa pjesa e tyre dërrmuese burra me përjashtim të vetëm shën Anthinë, nënën e shën Elefterit.
Nënvizime përfundimtare Duke përfunduar rishikim e elementeve përbërëse të librit do të donim të formulonim disa mendime përfundimtare që spontanisht lindin kur sjellim në mendje madhësinë shpirtërore të personave qe përshkojnë faqet e tij.
Nëpërmjet shumëllojshmërisë që paraqesin jetët e ndryshme del në pah unikaliteti i personit të çdo shenjtori, dhe mishërohen tre parametra shpirtërore që duhet të karakterizojnë edhe jetën tonë që të mund të përballojmë vështirësitë dhe të japim dëshminë e mirë në një botë që ndryshon vazhdimisht.
E para, shpirti luftarak. Shembulli i shenjtorëve na tregon se vështirësitë, tundimet, shpifjet, persekutimet që hasim duhet t΄i përballojmë me durim guximtar dhe shpirt luftarak. Të ecim përpara me vetëmohim dhe shpirt sakrifice, duke luftuar betejën e mirë të besimit. Fjala e apostullit « mos u mund nga e keqja, por munde me të mirën të keqen» (Rom. 12: 21) përcakton mënyrën dhe moralin e kësaj përpjekjeje dhe përbën zgjidhjen e rrethit vicioz të urrejtjes, të gënjeshtrës dhe të padrejtësisë.
Së dyti, krijueshmëria. Mrekullitë që realizuan shenjorët, përbëjnë shprehje karakteristike të ndërhyrjes kreative të Perëndisë në zgjidhjen e problemeve të ndryshme. Shenjtorët janë përcjellësit e pastër që lejojnë kalimin dhe shpërndarjen e energjisë hyjnore te jeta e njerëzve. Janë një provë e prekshme se si njeriu nëpërmjet lidhjes së tij me Zotin mund ta arrijë atë që duket në pamje të parë si e pamundur, dhe të bëhet faktor krijueshmërie dhe bamirësie ne ambientin ku gjendet.
Veçanërisht shekulli ynë, sikundër në një fjalim të fundit e përmendi drejtuesi i një gjigandi të blerjeve dhe komunikimit, nuk kërkon njeriun e informacionit por atë që disponon aftësi kreative dhe që mund të japë zgjidhje të çuditshme në probleme pakrye. Shenjtorët tanë edhe në këtë sektor qëndrojnë në pararojë të zhvillimeve.
Në fund, thjeshtësia. Në një epokë kur mbi popujt vendosen politika të ashpra që thjeshtojnë përditshmërinë si mjet përmirësimin ekonomik, shenjtorët na thërrasin që ta përjetojmë këtë si një forcë çlirimtare nga skllavëria e të mirave materiale. Bëhet fjalë për një thjeshtësi të jashtme që është pasojë e një bote të mbushur shpirtërore, të cilën e krijon prania e Krishtit në jetën tonë.
Shenjtorët, të dashurit e mi, janë dëshmorët besnikë të Ngjalljes, ata që e bëjnë bashkëkohorë mesazhin e përjetshëm dhe të vërtetë të Ungjillit, udhëtreguesit e ndritshëm të rrugëtimit tonë.
Kryepiskopi Anastas thekson: «për ndërgjegjen orthodhokse, shembulli i njeriut dhe i personalitetit të plotë nuk është borgjezi i rregulluar, i cili ka mbrojtur të drejtat e tij individuale dhe jeton me një dinjitet të parrudhosur shoqëror, por Shenjtori, dëshmori, asketi, i liri nga dëshira për para, pronë, lavdi, famë, ai që jeton me ngazëllim dhe plotësim lirin e brendshme, që nuk injoron trupin dhe nevojat e tij por që nëpërmjet udhëheqjes së Shpirtit të Shenjtë përpiqet të çlirohet nga çdo egoizëm. » (Globalizmi dhe Orthodhoksia, fq. 99) Si përfundim, janë të gjithë ata që, sipas Apokalipsit, ndjekin qengjin e therur, Krishtin, kudo që ai shkon (shih. Apok. 5: 12)
Falënderime Duke ndjekur këshillin apostolike «në gjithçka falënderoni» (Α΄ Sel. 5: 18) do doja , duke përfunduar këtë prezantim të shkurtër, të shpreh falënderimet e tërëshpirtshme dhe urimet e mia më të ngrohta fillimisht te Fortlumturia e Tij Kryepiskopi ynë z. Anastas, i cili i mbushur me zell hyjnor sjell para nesh çdo ditë mënyrën dhe moralin e shenjtorëve.
Falënderime të ngrohta për Profesorin z. Hristo Aramabatzi, që për shkak të angazhimeve të tij në një simpozium shkencor, nuk u bë e mundur të ishte sot pranë nesh, përzemërsisht falënderoj edhe të gjithë profesorët e mi që me eksperiencën e tyre akademike më ndihmuan me këshillat e tyre të vyera. Falenderime të veçanta patjetër dua ti shpreh Konsulentit tonë të zgjedhur shkollor z. Joani Karamitro, që me zell hierapostolik ndihmon veprën e Mitropolisë sonë të Shenjtë. Gjithashtu falënderoj si kolegët e mi të zgjedhur të Institucioneve tona arsimore ashtu edhe familjen time për mbështetjen e tyre.
Qysh në hapat e para të shkrimit të kësaj vepre ndjeva obligimin moral dhe shpirtëror që t ia dedikoj këtë punë atij njeriu, që duke ndjekur hapat e shenjtorëve, qëndron pranë nesh me maturi dhe urtësi dhe sivjet mbush 12 vjet baritimi të nderuar, Hirësisë së Tij Mitropolitit dhe atit tonë z. Dhimitër, drejt të cilit shpreh falënderimet e mia të vazhdueshme. Urojmë Hirësi të vazhdoni rrugëtimin tuaj në Krishtin me durimin guximtar të dëshmorit Therino, ndjeshmërinë pimantike të episkopit të Evrisë Dhonatit, thjeshtësinë asketike të oshënar Nifonit dhe vigjilencën shpirtërore të shën Nilit. Për shumë vjet o Kryezot!
Faleminderit!
- Slides: 26